Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, priti sot në zyrën e saj Komisionerin Parlamentar të Forcave të Armatosura të Gjermanisë, Henning Otte, duke shprehur mirënjohjen e Kosovës për mbështetjen e vazhdueshme nga Gjermania në ndërtimin e kapaciteteve të Forcës së Sigurisë së Kosovës gjatë tranzicionit dhjetëvjeçar.
Gjatë takimit, Osmani dhe Otte diskutuan mundësitë për të forcuar bashkëpunimin mes komisionerëve parlamentarë të të dy vendeve. Ata theksuan rëndësinë e shkëmbimit të përvojave për të avancuar mekanizmat e llogaridhënies dhe transparencës, si dhe për të përmirësuar standardet demokratike në forcat e armatosura të të dy vendeve.
Osmani vlerësoi Gjermaninë si një partner strategjik të Kosovës në fushat e paqes, sigurisë dhe integrimit euroatlantik. Ajo falënderoi ushtarakët gjermanë në KFOR dhe NALT për kontributin e tyre në stabilitetin e rajonit.
Presidentja theksoi se themelimi i institucionit të Komisionerit Parlamentar të FSK-së tregon përkushtimin e Kosovës për standarde demokratike dhe zhvillim të forcave mbrojtëse profesionale.

Leave a Reply