Eurodeputeti austriak kërkon heqjen e masave ndaj Kosovës

Disa ditë para mbarimit të mandatit të tij, ish-shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, sugjeroi që të hiqen masat ndëshkuese ndaj Kosovës.

Megjithatë, për shkak të mosmarrëveshjeve brenda shteteve të bllokut, këto masa mbeten ende në fuqi. Sipas njoftimeve nga Brukseli, heqja e masave është e kushtëzuar nga një transferim i rregullt i pushtetit në veri të Kosovës.

Nga ana tjetër, eurodeputeti austriak Lukas Mandl ka bërë thirrje për heqjen e menjëhershme të këtyre masave, duke i quajtur ato si një ide e keqe që nga fillimi. Ai thekson se, ndërsa Serbia nuk është sanksionuar, Republika e Kosovës është vënë padrejtësisht në shënjestër.

Mandl shprehet se është i angazhuar për një të ardhme më të mirë për të dy vendet, por vëren se Serbia ka bërë hapa prapa në aspektin demokratik. Ai beson se Kosova po tregon pjekuri demokratike dhe shpreson për stabilitet të qëndrueshëm në të ardhmen.

Masat ndaj Kosovës ishin vendosur në qershor 2023, si reagim ndaj situatës së tensionuar në veri, ku kryetarët shqiptarë morën drejtimin e katër komunave.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *