Në Kosovë kanë mbërritur 85,000 doza të vaksinave kundër gripit sezonal. Qytetarët e moshuar dhe ata me sëmundje kronike do të kenë mundësinë të vaksinohen që në fillim të tetorit. Kjo është bërë e ditur nga Ministria e Shëndetësisë. Institucionet shëndetësore u bëjnë apel qytetarëve që të vaksinohen për të mbrojtur veten nga gripi sezonal dhe për të shmangur komplikimet që mund të shkaktojë.
Në përpjekje për të mbrojtur qytetarët nga gripi sezonal, në Kosovë janë siguruar doza të mjaftueshme të vaksinave kundër gripit sezonal. Lajmi është konfirmuar për Radio Kosovën nga zyrtarja për informim në Ministrinë e Shëndetësisë, Gjylferie Zabeli, e cila njoftoi se procesi i vaksinimit do të fillojë në fillim të tetorit.
“Ju informojmë se Ministria e Shëndetësisë ka siguruar 85,000 doza të vaksinave kundër gripit sezonal përmes procedurave të prokurimit, të garantuara nga markat më të njohura ndërkombëtare. Këto vaksina janë pranuar në depon e Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik të Kosovës dhe pritet që shpërndarja e tyre të bëhet sipas planit të IKShPK-së për njësitë e vaksinimit në nivel kombëtar”, tha Zabeli.
Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik gjithashtu konfirmon se vaksinat kundër gripit sezonal kanë mbërritur në depot e tyre. Zëdhënësja e IKSHPK-së, Era Pireva, njoftoi se shpërndarja e tyre në njësitë e vaksinimit në mbarë vendin do të fillojë së shpejti.
“Ministria e Shëndetësisë për sezonin 2025-2026 ka siguruar 85,000 doza të vaksinës kundër gripit sezonal, të cilat kanë mbërritur në depon e Institutit dhe shpërndarja e tyre do të bëhet gjatë këtyre ditëve në njësitë e vaksinimit në nivel vendi. Ndërsa, vaksinimi do të nisë nga java e parë e tetorit”, theksoi Pireva.
Me uljen e temperaturave fillon sezoni i gripit, që zakonisht shfaqet në fund të shtatorit dhe fillim të tetorit. Vaksinimi mbron trupin dhe e ndihmon të kalojë më lehtë gripin. Këtë e thekson mjeku familjar në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Prishtinë, Valdet Hashani, i cili përmend kategoritë më të rrezikuara nga gripi sezonal që duhet të vaksinohen.
“Kategoritë më të rrezikuara janë të moshuarit, gratë shtatzëna, fëmijët, dhe personat me sëmundje kronike si diabeti, hipertensioni, sëmundjet kardiake. Gjithashtu, punëtorët shëndetësorë duhet të vaksinohen pasi kanë kontakt të drejtpërdrejtë me pacientët. Këto vaksina e ndihmojnë trupin të përballojë më lehtë gripin”, tha Hashani.
Vaksinimi kundër gripit sezonal do të fillojë nga java e parë e tetorit dhe do të ofrohet çdo ditë pune në njësitë e vaksinimit, të cilat funksionojnë brenda qendrave kryesore të Mjekësisë Familjare në çdo komunë të vendit. Qytetarët mund të drejtohen në këto pika për t’u vaksinuar në mënyrë të sigurt dhe të organizuar, duke u mbrojtur kështu nga komplikimet e gripit sezonal. Autoritetet shëndetësore apelojnë te të gjitha grupmoshat, veçanërisht te kategoritë më të rrezikuara, që të vaksinohen.

Leave a Reply