Mimoza Kusari, kryetarja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, apelon për mbështetje të gjerë në Kuvend për miratimin e marrëveshjeve ndërkombëtare dhe të agjendës parlamentare të nesërme.
Me 40 nënshkrime, LVV ka kërkuar një seancë ku do të shqyrtohen nëntë pika, përfshirë pesë marrëveshje ndërkombëtare. Kusari ka paralajmëruar se mosmiratimi i këtyre marrëveshjeve mund të rrezikojë financime deri në 1 miliard euro, përfshirë një grant prej 290 milionë euro nga Bashkimi Evropian.
Ajo theksoi rëndësinë e miratimit të Planit të Rritjes deri në dhjetor 2025, për të shmangur humbjen e 88 milionë eurove. Ajo përmendi gjithashtu marrëveshjet me Bankën Botërore, që përfshijnë financime për buxhetin dhe sektorët e arsimit dhe shëndetësisë.
Kusari kërkoi bashkëpunim ndërpartiak, duke theksuar se marrëveshjet ndërkombëtare janë në interes të të gjithë qytetarëve. Kusari theksoi nevojën për formimin e katër komisioneve të përhershme parlamentare me përfaqësim të barabartë dhe ftoi deputetët që të miratojnë pikat e rendit të ditës, duke siguruar stabilitet para zgjedhjeve të ardhshme.
Ajo nënvizoi gjithashtu rëndësinë e mbështetjes për Radio Televizionin e Kosovës dhe buxhetet lokale.

Leave a Reply