Turizmi në Shqipëri ka përjetuar një rritje të dukshme gjatë viteve të fundit, me një numër në rritje të vizitorëve ndërkombëtarë që e zgjedhin vendin tonë si një destinacion për pushime dhe udhëtime.
Sipas të dhënave të Institutit të Statistikave (INSTAT), gjatë gushtit numri i vizitorëve të huaj u rrit me afërsisht 10%, duke arritur në 2.381.864 hyrje.
Hyrjet në territorin shqiptar, përfshirë edhe shtetasit shqiptarë, arritën në 3.368.104, shënuar një rritje prej 8,4% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Ndërkohë, daljet nga Shqipëria u rritën me 12,1%, duke arritur në 3.335.824, ku 994.573 prej tyre ishin shtetas shqiptarë, me një rritje prej 10,3%.
Nga rajonet, 97% e vizitorëve të huaj janë nga Europa, ku Europa Jugore zë vendin kryesor me 77% të totalit, e ndjekur nga Europa Perëndimore me 9% dhe Europa Qendrore/Lindore me 8%.
Qëllimi i vizitave të shtetasve të huaj në Shqipëri në 99% të rasteve është për arsye personale, përfshirë turizmin dhe vizitat te të afërmit. Hyrjet për qëllime biznesi dhe profesionale kanë parë një rritje të konsiderueshme prej 23,3%.
Destinacionet më të preferuara mbeten bregdeti adriatik dhe jonian, me qytetet si Saranda, Durrësi, Vlora dhe Himara që tërheqin mijëra vizitorë nga Evropa dhe më gjerë. Përveç plazheve, zonat malore dhe ato historike po përjetojnë një rritje të ndjeshme, duke pasuruar ofertën turistike dhe duke tërhequr një gamë më të gjerë vizitorësh gjatë gjithë vitit./atsh

Leave a Reply