Rama apel Kurtit: Bllokada po cenon shërbimet publike në Prishtinë

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, i ka bërë thirrje Kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, të ndërhyjë urgjentisht për të zgjidhur bllokadën financiare që po pengon funksionimin e shërbimeve publike në kryeqytet.

Rama ka shprehur shqetësimin se mungesa e përgjigjeve nga Ministria e Financave po ndikon negativisht tek qytetarët, duke paralajmëruar për rrezikimin e ofrimit të këtyre shërbimeve. Sipas Ramës, kërkesat e Komunës drejtuar Ministrisë janë të bazuara në ligj dhe përfshijnë alokimin e plotë të të ardhurave vetanake, si dhe zbatimin e vlerave të miratuara për Ndarjen Buxhetore 2025.

Ai e cilësoi të papranueshme që qytetarët të vuajnë për shkak të “dinamikave politike”. Rama kërkoi nga Kryeministri Kurti të veprojë pa vonesë për të garantuar vijimësinë e shërbimeve themelore, duke theksuar se përmbushja e përgjegjësive institucionale është e domosdoshme dhe nuk mund të tolerohet asnjë vonesë.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *