Prokuroria Speciale mohon pretendimet e anëtarëve të KPK-së

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) ka mohuar akuzat e disa anëtarëve të Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK) për ndërhyrje nga Kryeprokurori i Speciales, Blerim Isufaj, në proceset vendimmarrëse të KPK-së.

PSRK-ja thekson se këto pretendime janë të pabaza, duke sqaruar se as Prokuroria Speciale dhe as Kryeprokurori nuk kanë ndërhyrë dhe nuk mund të ndërhyjnë në çështje që janë ekskluzivisht nën kompetencën e KPK-së. Prokuroria nënvizon se përpjekjet për të përfshirë atë në debatet e brendshme të KPK-së dëmtojnë integritetin e sistemit prokurorial.

Në reagim theksohet se çdo insinuatë për synimin e Blerim Isufajt për të marrë pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit është e pabazuar. Kryeprokurori Isufaj është i përkushtuar ndaj mandatit të tij aktual, ndërsa është emëruar një prokuror tjetër për të mbajtur përkohësisht detyrën e Kryeprokurorit të Shtetit.

PSRK-ja riafirmon angazhimin për të kryer funksionet e saj me pavarësi të plotë dhe transparencë, duke iu shërbyer interesave publike.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *