Në Samitin e Liderëve Rajonal “Plani i Rritjes, rruga jonë në BE”, që po mbahet në Tiranë, Kryeministri Edi Rama theksoi se Ballkani Perëndimor ka zgjedhur të ecë përpara së bashku duke ndjekur Planin e Rritjes si udhërrëfyes të përbashkët.
Ai nënvizoi se kjo nuk është një kërkesë për ndihmë për t’u bashkuar me Bashkimin Evropian, por një rrugëtim drejt lirive dhe mundësive të tregut të përbashkët evropian. Sipas Ramës, Evropa është më e sigurt falë këtij angazhimi të përbashkët, dhe Ballkani Perëndimor nuk po kërkon ndere, por po kontribuon me rezultatet dhe reformat e veta.
Kryeministri theksoi se rajoni nuk është me duar bosh, por me detyrat e shtëpisë të plotësuara, duke ofruar vlerë dhe përpjekje të vazhdueshme. Në përfundim, Rama sugjeroi se për sigurinë e Evropës, zgjedhja e ballkanasve si “truprojet” e saj do ta bënte kontinentin më të sigurt dhe të qetë.
Ai theksoi se Ballkani Perëndimor është pjesë thelbësore e një Evrope të fortë dhe të bashkuar.

Leave a Reply