KQZ-ja Miraton Rezultatet përfundimtare të Zgjedhjeve Lokale

Mbledhja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) për certifikimin e rezultateve të zgjedhjeve për kuvendet komunale dhe raundin e dytë të zgjedhjeve për kryetarë komunash u shoqërua me tensione.

Sami Kurteshi i LVV-së u shpreh kundër certifikimit të rezultateve në komunat me shumicë serbe, duke përmendur presionet dhe dyshimet për ndikimet e Listës Serbe, veçanërisht në Kllokot. Ilir Gashi nga PDK-ja akuzoi LVV-në për nisje të fushatës, ndërsa Alban Krasniqi deklaroi se Lista Serbe është organizatë terroriste.

Kjo nxiti reagime nga Gordana Laban e KQZ-së, e cila e kundërshtoi Krasniqin, duke theksuar se ajo mbron të drejtat e serbëve në Kosovë. Pas debateve, KQZ-ja certifikoi rezultatet për komunat tjera me 11 vota pro, por Vetëvendosje votoi kundër për Kllokotin.

PDK-ja, ndonëse votoi për certifikimin e raundit të dytë, paralajmëroi ankesa për mospranimin e rivotimit në Mitrovicën e Jugut. KQZ-ja më herët kishte certifikuar rezultatet e zgjedhjeve të 12 tetorit për Kuvendet Komunale, me përjashtim të Istogut, për shkak të një vendimi të kthyer për rivendosje nga Gjykata Supreme.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *