Në gjyqin e ish-udhëheqësve të UÇK-së në Hagë, përfshirë Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin dhe Jakup Krasniqin, është vendosur që deklaratat përmbyllëse të palëve të jepen në shkurt 2026.
Këto deklarata do të prezantohen nga 9 deri më 13 shkurt, ndërsa provat e mbrojtjes do të mbyllen zyrtarisht deri më 2 dhjetor 2025. Dosjet përfundimtare dhe deklaratat për pasojat e krimeve ndaj viktimave janë planifikuar të dorëzohen deri më 19 janar 2026.
Ndërkohë, kërkesa e mbrojtjes për një procedurë të veçantë për përcaktimin e dënimit është refuzuar, duke u vendosur që kjo çështje do të shqyrtohet në aktgjykim. Procesi i paraqitjes së provave nga mbrojtja ka nisur më 15 shtator 2025, me dëshmitarë të rëndësishëm si ish-ndihmësi i sekretarit amerikan, James Rubin, dhe ish-këshilltari ligjor i delegacionit shqiptar në Rambuje, Paul Williams.
Përveç tyre, dëshmuan edhe personalitete të tjera si John Stewart Duncan, James Peter Covey dhe Wesley Clark. Prokuroria kishte përfunduar paraqitjen e provave më 15 prill 2025, ndërsa akuza e konfirmuar ndaj Thaçit dhe të tjerëve përfshin dhjetë pika për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Të akuzuarit janë deklaruar të pafajshëm në paraqitjet e tyre të para.

Leave a Reply