Shkumbin Misini, ekspert i ekonomisë, gjatë një paraqitjeje në emisionin EURO n’T7 me Menduh Abazin, ka theksuar se në Ballkanin Perëndimor është shndërruar në normë që politikanët të mashtrojnë dhe të gënjejnë, duke e konsideruar këtë më shumë si një arsye për krenari sesa si një turp.
Misini solli në vëmendje shembullin e kryetarit aktual të Podujevës, Shpejtim Bulliqi nga LVV, i cili gjithashtu është profesor universitar. Ai theksoi se Bulliqi, pa ndonjë ngurrim, pretendonte se kishte investuar 250 milionë euro në komunën që drejton, ndonëse shifrat reale nuk e mbështesnin këtë pretendim.
“Gjatë kohës që ishte i ftuar live në studio dhe po listonte investimet, shifrat reale nuk arrinin as 100 milionë, megjithatë ai këmbëngulte se kishte investuar 250 milionë euro për një periudhë prej katër vitesh. Nuk ndjente turp që po kapet në gënjeshtër në transmetim të drejtpërdrejtë. Disa kryetarë dhe politikanë e shohin gënjeshtrën si një privilegj,” ka deklaruar Misini.
Sipas Misinit, më shqetësuese është fakti se shumë kryetarë marrin pjesë në debate televizive pa pasur një plan konkret të qeverisjes, duke mos ofruar asnjë informacion të vlefshëm për qytetarët.
“Kryetarët e komunave, në vend që të jenë në shërbim të qytetarëve, shumë prej tyre kanë uzurpuar komunën dhe e trajtojnë atë si pronë të tyre. Është shqetësuese se shumë familjarë të politikanëve po arrijnë sukses në botën e biznesit. Qytetarët kanë humbur besimin tek politikanët, si në nivel qendror ashtu edhe lokal,” ka shtuar Misini.

Leave a Reply