Sot shënohet Dita e Alfabetit Shqip, e cila përkujton unifikimin e alfabetit shqiptar në Kongresin e Manastirit 117 vjet më parë.
Kjo ngjarje historike është një festë e rëndësishme për të gjitha trojet shqiptare, duke synuar të ruajë traditën dhe të përhapet gjerësisht. Kongresi u zhvillua nga 14 deri më 22 nëntor 1908, ku morën pjesë 50 delegatë nga 26 qytete dhe organizata të ndryshme.
Në këtë mbledhje u vendos përdorimi i alfabetit latin me disa ndryshime për t’iu përshtatur gjuhës shqipe. Manastiri, si një qendër e rëndësishme diplomatike, tërhoqi intelektualë nga të gjitha trevat shqiptare, duke ofruar një ambient të sigurt për këtë çështje kombëtare.
Mithat Frashëri u zgjodh kryetar, ndërsa Luigj Gurakuqi dhe Gjergji Qiriazi ishin nënkryetarë. Parashqevi Qiriazi ishte e vetmja grua pjesëmarrëse.
Kongresi i Manastirit është konsideruar një nga ngjarjet më të rëndësishme të kombit shqiptar në shekullin e 20-të, duke çuar më pas në shpalljen e Pavarësisë më 28 Nëntor 1912. Në Manastir, kjo ditë festohet dhe nuk punohet, ndërsa Muzeu i Alfabetit të Gjuhës Shqipe ruan kujtimet e kësaj periudhe me fotografi dhe dokumente historike.

Leave a Reply