KFOR: Asnjë shkelje e dronëve nuk është zbuluar nga ne

KFOR ka bërë një deklaratë lidhur me shqetësimet e ngritura nga Policia e Kosovës për vëzhgimin e dronëve nga Serbia në veri të vendit.

Në një përgjigje për KosovaPress, KFOR theksoi se nuk ka identifikuar shkelje të hapësirës ajrore që mund të ndikojnë në sigurinë e Kosovës.

Sipas KFOR-it, komandanti i tyre ka autoritet mbi hapësirën ajrore të Kosovës dhe monitoron vazhdimisht këtë hapësirë duke përdorur të gjitha mjetet dhe kapacitetet në dispozicion.

“Koordinimi i çdo aktiviteti në hapësirën ajrore, veçanërisht pranë Linjës Administrative të Ndërprerjes, me KFOR-in është thelbësor për të shmangur tensionet dhe për të siguruar sigurinë. KFOR-i vazhdon të mbajë kontakte të ngushta me organizatat e sigurisë së Kosovës dhe Forcat e Armatosura të Serbisë, duke kontribuar në një ambient të qetë për të gjitha komunitetet në përputhje me mandatin e OKB-së, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe EULEX-in”, thuhet në deklaratë.

Ndërkohë, drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, deklaroi se ka dyshime për fluturime dronësh nga Serbia në veri të Kosovës ditëve të fundit. Sipas tij, Policia e Kosovës është në kontakt të vazhdueshëm me KFOR-in dhe po monitoron situatën.

Hoxha vuri në dukje se lëvizjet mund të jenë të rrezikshme për zonën kufitare, por jo për qytetarët e Kosovës, pasi policia siguron mbrojtjen e tyre. Ai theksoi se për këtë çështje janë informuar edhe partnerët ndërkombëtarë, përveç KFOR-it.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *