Ish-kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka shprehur shqetësim lidhur me krizën financiare që ka prekur Trafikun Urban, duke paralajmëruar se kryeqyteti mund të mbetet pa transport publik.
Ahmeti e ka cilësuar këtë si një moment të vështirë për qytetin, duke kujtuar problemet financiare që kishte hasur kur mori drejtimin e komunës, ku Trafiku Urban kishte borxhe prej 1.5 milionë eurosh dhe paga të papaguara për dy vjet. Sipas Ahmetit, përpjekjet për të siguruar autobusë të rinj u penguan nga qeveria e atëhershme e LDK-së për shkak të vonesave në miratimin e garancioneve sovrane.
Edhe pse ishte siguruar një kredi prej 10 milionë eurosh nga BERZH, ai përmendi se miratimi politik ishte një pengesë e vazhdueshme. Ahmeti u kujtoi gjithashtu takimet me ish-kryeministrin Avdullah Hoti dhe kërkesat për mbështetjen e Vetëvendosjes në Kuvend për blerjen e autobusëve.
Ai theksoi se mungesa e transportit publik mund të jetë vetëm fillimi i problemeve në Prishtinë, duke përmendur mundësinë e ndërprerjeve të energjisë në shkolla dhe mungesën e ushqimit në çerdhe. Ai bëri thirrje për dialog mes institucioneve për të siguruar funksionimin e shërbimeve jetike.

Leave a Reply