Kryeministri Kurti priti kongresistët amerikanë në Kosovë

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, priti një delegacion të Shteteve të Bashkuara, të përbërë nga kongresistët Mike Turner dhe Donald Norcross, të cilët janë anëtarë të Asamblesë Parlamentare të NATO-s dhe Komitetit të Shërbimeve të Armatosura.

Diskutimet u përqendruan në forcimin e marrëdhënieve Kosovë–ShBA, veçanërisht në fushën e mbrojtjes. Kurti theksoi se në katër vitet e fundit, mbi 1000 pjesëtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës kanë marrë pjesë në trajnime ushtarake në ShBA, përfshirë ato në West Point dhe U.S.

Army War College. Ai gjithashtu përmendi ushtrimet ushtarake Defender Europe, ku në vitin 2025, Komanda e Divizionit të 28-të të Këmbësorisë së SHBA-së ishte e vendosur në Gjakovë.

Kryeministri vlerësoi investimet në pajisje ushtarake amerikane dhe përmendi nënshkrimin e Marrëveshjes për Mbrojtjen e Informacionit të Klasifikuar. Ai shprehu mirënjohje për mbështetjen e SHBA-së dhe rikonfirmoi angazhimin e Kosovës për anëtarësim në NATO dhe BE.

Ndër të tjera, u diskutua edhe për bashkëpunimin ekonomik, sidomos në energji dhe teknologji.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *