Kosova dhe Italia nënshkruajnë marrëveshje bashkëpunimi mbrojtës

Në Ministrinë e Mbrojtjes u zhvillua një takim mes delegacionit të Forcave të Armatosura të Italisë dhe përfaqësuesve të Kosovës, në kuadër të planifikimit të përbashkët në fushën e mbrojtjes për vitin 2026.

Gjatë këtij takimi, u nënshkrua Plani Bilateral Vjetor, që përcakton aktivitetet dhe prioritetet për bashkëpunimin e ardhshëm. Dokumenti u firmos nga kolonel Ahmet Ajeti, drejtues i Departamentit për Bashkëpunim Ndërkombëtar dhe Integrime Euro-Atlantike, dhe kapiteni Manuel Verdini nga Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura Italiane.

Gjatë vizitës, delegacioni italian pati një takim kortezie me drejtorin e Politikave të Mbrojtjes, Faruk Geci. Diskutimet u fokusuan në progresin e deritanishëm dhe objektivat e ardhshme të bashkëpunimit.

Të dy palët shprehën gatishmërinë për të zgjeruar më tej fushat e bashkëpunimit, duke theksuar rëndësinë e zhvillimit të kapaciteteve ushtarake dhe shkëmbimeve profesionale ndërmjet personelit. Ministria e Mbrojtjes e Kosovës vlerëson rolin e Italisë në mbështetjen e institucioneve të mbrojtjes dhe përmirësimin e standardeve të sigurisë.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *