Në Lisbonë, Portugali, u zhvillua Asambleja e Përgjithshme e Shoqatës së Entiteteve Lëshuese të Certifikatave të Origjinës (AIB), ku u miratua kërkesa e Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRrE) për t’u bërë anëtare me të drejta të plota.
Ky anëtarësim e integron ZRrE-në në platformën evropiane për Garancitë e Origjinës. ZRrE njoftoi përmes një deklarate se Kosova, me këtë anëtarësim, ka adoptuar Sistemin Evropian të Certifikatave të Energjisë (EECS).
Kjo siguron njohjen e Garancive të Origjinës së Kosovës në mbarë Evropën, duke rritur transparencën dhe besueshmërinë e energjisë së ripërtëritshme dhe lehtësuar tregtinë ndërkufitare. Zyrtarët theksuan se ky hap forcon kapacitetet e Kosovës në sektorin e energjisë dhe e pozicionon vendin si partner të besueshëm në tregun evropian.
Anëtarësimi, i cilësuar si arritje historike, u mbështet nga projekti “Tranzicioni i Energjisë dhe Zbutja e Ndryshimeve Klimatike” i financuar nga Luksemburgu. Ky proces pasoi një punë të gjatë dhe bashkëpunime me institucionet suedeze për të funksionalizuar platformën e certifikatave.

Leave a Reply