Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka uruar popullin shqiptar me rastin e 28 Nëntorit, duke e cilësuar këtë datë si të pandashme nga fati i kombit shqiptar.
Në një postim, ai theksoi rëndësinë historike të kësaj date, duke kujtuar ngritjen e flamurit të Kastriotëve në Krujë më 1443, çka shënoi fillimin e rezistencës kundër Perandorisë Osmane. Kurti gjithashtu përmendi ngjarjen e shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë më 28 nëntor 1912 në Vlorë, duke e cilësuar atë si një moment kyç në historinë e kombit.
Ai përmendi gjithashtu lindjen e Adem Jasharit në Prekaz më 1955 dhe daljen publike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës më 1997, që sinjalizoi vendosmërinë e popullit për liri. Duke përmbyllur, Kurti shprehu dëshirën për një të ardhme më të ndritur, një “Nëntor të Tretë”, që do të përmbushte aspiratat e shqiptarëve për një të ardhme të bashkuar dhe të begatë, duke uruar të gjithë shqiptarët kudo që janë: “Gëzuar 28 Nëntorin, Ditën e Flamurit!”

Leave a Reply