Punonjësit e Trafikut Urban në Prishtinë do të vazhdojnë grevën edhe nesër, duke mos dalë në linjat e autobuseve të kryeqytetit.
Kjo është bërë e ditur nga kryetari i Sindikatës, Ilmi Gashi, i cili ka deklaruar për Radio Kosovën se greva do të vazhdojë deri sa Komuna e Prishtinës të shlyejë borxhet e akumuluara ndaj operatorëve të transportit. Nga ora 10:00 deri në 12:00, autobuset do të bllokojnë rrugën nga Qeveria e Kosovës deri te Komuna e Prishtinës, si pjesë e protestës që kërkon sigurimin e fondeve për pagat e punëtorëve dhe stabilitetin e shërbimeve.
Gashi ka nënvizuar se greva do të zgjasë deri në alokimin e fondeve në xhirollogarinë e Trafikut Urban. Ai ka shprehur keqardhje për çdo shqetësim të mundshëm tek qytetarët, por ka premtuar rikthimin e shpejtë të shërbimeve pas zgjidhjes së çështjes financiare.
Zyrtarët kanë njoftuar se ditët pa shërbim do të kompensohen përmes biletave mujore. Borxhi i Komunës ndaj Trafikut Urban arrin 3.22 milionë euro, ndërsa ky i fundit ka borxhe prej 1.6 milionë eurosh ndaj furnitorëve.

Leave a Reply