Transporti publik dhe privat në Prishtinë do të mbetet i pezulluar edhe këtë të hënë, për shkak të protestave të punëtorëve të “Trafikut Urban” dhe operatorëve privatë, të cilët kërkojnë pagesat e prapambetura dhe zhbllokimin e buxhetit të komunës.
Elmi Gashi nga “Trafiku Urban” deklaroi se sapo të alokohen fondet e nevojshme, ata do të rikthehen në punë brenda 30 minutash. Ai theksoi se protesta do të vazhdojë deri në momentin kur komunës t’i aprovohet kërkesa për fondet nga Ministria e Financave, një veprim i cili do të kishte ndikim pozitiv në situatën e tyre.
Izet Smajli, kryetari i Shoqatës së Transportit Privat, shprehu shqetësimin për qytetarët që përdorin transportin publik dhe privat. Ai sqaroi se kompanitë private nuk kanë marrë pagat për gjashtë muaj, përveç muajit shtator.
Smajli tha se borxhi i komunës ndaj tyre është ende i madh, dhe kërkoi nga qeveria që të ndërhyjë sa më shpejt për zgjidhjen e situatës, në mënyrë që të rinisë shërbimi i transportit.

Leave a Reply