Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka shprehur pakënaqësinë e tij lidhur me marrëveshjen pas-zgjedhore të arritur në Vushtrri mes kandidatit të LDK-së, Xhafer Tahiri, dhe atij të Lëvizjes Vetëvendosje, Sylejman Meholli.
Abdixhiku kishte premtuar se pas përfundimit të balotazhit, partia do të marrë masa të nevojshme. Megjithatë, LDK ende nuk ka ndërmarrë asnjë veprim ndaj Tahirit, ish-kryetar i Degës së LDK-së në Vushtrri, edhe pse kanë kaluar mbi një muaj.
Tahiri, të martën, mori pjesë në mbledhjen e këshillit të LDK-së, ku Abdixhiku u propozua sërish si kandidat për kryeministër. LDK ka theksuar se veprimet e Tahirit janë të papranueshme dhe bien në kundërshtim me rregullat statutare të partisë.
Në një deklaratë zyrtare, LDK njoftoi se nuk ka autorizuar asnjë koalicion lokal pa ndjekur procedurat e saj. Ndërkohë, Tahiri ka njoftuar dorëheqjen e tij nga drejtimi i degës së LDK-së në Vushtrri, duke shtuar më tej tensionet brenda partisë.

Leave a Reply