BE kërkon takim urgjent me zyrtarët e KPK-së në Kosovë

Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë ka kërkuar një takim urgjent me Këshillin Prokurorial të Kosovës (KPK), pas zhvillimeve të fundit në këtë institucion.

Takimi është planifikuar për 3 dhjetor, me praninë e të gjithë anëtarëve të këshillit, siç bëhet e ditur nga një e-mail i dërguar nga Eva Palatova, ushtruesja e detyrës së shefit të Zyrës së BE-së në Kosovë, drejtuar kryesuesit Ardian Hajdaraj. Ky takim vjen pas zhvillimeve që kanë pasuar shkarkimin e Besim Kelmendit nga pozita e ushtruesit të detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, vendim që është kundërshtuar dhe cilësuar si kundërligjor.

Në mbledhjen e 1 dhjetorit, Agron Qalaj, i emëruar si ushtrues i ri i detyrës, mori pjesë vetëm si anëtar ex-officio, duke pritur një vendim gjyqësor për çështjen. Atmosfera në mbledhje ishte e tensionuar, ku disa anëtarë kërkuan largimin e Qalajt, duke argumentuar se prania e tij e bën kuorumin jo të ligjshëm.

Përplasjet çuan në largimin e disa anëtarëve dhe propozimin për shkarkimin e kryesuesit Ardian Hajdaraj.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *