Federica Mogherini, ish-shefja e Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian dhe negociatore në dialogun Kosovë-Serbi, është arrestuar nga policia belge të martën për dyshime mbi mashtrim në financimin e një akademie për diplomatët e rinj, raportoi “Euroactiv”.
Gjatë hetimeve për keqpërdorim të fondeve të BE-së, policia belge ka zhvilluar bastisje në zyrat e shërbimit diplomatik të BE-së si dhe në shtëpitë personale. Kolegu i saj në Kolegjin e Evropës, ku Mogherini ka shërbyer si rektore që nga viti 2020, refuzoi të komentojë mbi arrestimin e saj të supozuar.
Një tjetër anëtar i Kolegjit të Evropës, i përfshirë në departamentin e Edukimit, gjithashtu është ndaluar. Ndërkohë, Stefano Sannino, një zyrtar i lartë i Komisionit Evropian dhe ish-sekretar i përgjithshëm gjatë mandatit të Mogherinit, është ndaluar po ashtu.
Komisioni Evropian konfirmoi praninë e policisë në zyra, duke theksuar se kjo është pjesë e një hetimi të mëparshëm për mandatet e kaluara, pa dhënë më shumë detaje.

Leave a Reply