Nga nesër, 3 dhjetor 2025, Trafiku Urban do të rinisë shërbimin e transportit publik në Prishtinë.
Ky vendim vjen pas sigurimit të fondeve nga Ministria e Financave dhe kryerjes së pagesave nga Komuna e Prishtinës, duke i dhënë fund ndërprerjes së shërbimit për shkak të mungesës së pagesave ndaj ndërmarrjes. Në një njoftim zyrtar, Trafiku Urban ka theksuar se ndërprerja e shërbimit ditët e fundit ishte e pashmangshme për shkak të pamundësisë financiare të krijuar nga detyrimet e papaguara.
Ata kanë shprehur keqardhjen e tyre për vështirësitë që kjo situatë ka shkaktuar te qytetarët dhe kanë falënderuar popullatën për mirëkuptimin e treguar gjatë kësaj periudhe të vështirë. Ky zhvillim pritet të lehtësojë lëvizjen e përditshme të banorëve të kryeqytetit, duke rikthyer normalitetin në transportin urban.

Leave a Reply