Ministrja në detyrë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, mori pjesë në një aktivitet të organizuar në shkollën “Pjetër Bogdani” në Prishtinë, në kuadër të fushatës globale për 16 Ditët e Aktivizmit kundër Dhunës Gjinore.
Ajo theksoi se institucionet arsimore janë kyçe në parandalimin e dhunës dhe në krijimin e një kulture të sigurt dhe gjithëpërfshirëse në shkolla. Gjatë fjalimit të saj, Nagavci vuri theksin te rëndësia e edukimit cilësor dhe zhvillimit të aftësive sociale dhe emocionale tek fëmijët dhe të rinjtë.
Këto aftësi janë themelore për respektin, barazinë dhe komunikimin paqësor në shkolla dhe në shoqëri. “MAShTI është i përkushtuar për zbatimin e Konventës së Stambollit përmes sistemit arsimor, duke krijuar dokumente që forcojnë rolin e shkollave në parandalim dhe ndërgjegjësim kundër dhunës,” deklaroi ministrja.
U prezantua gjithashtu “Udhëzuesi për mësimdhënësit dhe profesionistët e arsimit”, një dokument që ndihmon në identifikimin dhe trajtimin e rasteve të dhunës ndaj grave dhe në familje. Nxënësit e kësaj shkolle shfaqën një program artistik për të rritur ndërgjegjësimin mbi parandalimin e dhunës dhe sjelljeve të dëmshme.

Leave a Reply