Misioni i OSBE-së në Kosovë ka shprehur shqetësim të thellë lidhur me vendimin e disa anëtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për të mos miratuar kërkesën për akreditimin e Listës Serbe në zgjedhjet e ardhshme të 28 dhjetorit.
Në deklaratën e tyre, OSBE-ja dënon veprimet që kufizojnë pjesëmarrjen politike, duke i konsideruar këto si një largim nga standardet ndërkombëtare të zgjedhjeve. Organizata shpreh shqetësim për polarizimin politik në rritje brenda KQZ-së, që sipas saj, ndikohet më shumë nga interesat partiake sesa nga parimet demokratike dhe ligjore.
Ky qëndrim, sipas OSBE-së, dëmton paanshmërinë dhe integritetin e nevojshëm për një menaxhim të drejtë të zgjedhjeve. Deklarata vëren se veprimet aktuale mund të minojnë besimin e publikut në procesin zgjedhor, duke krijuar perceptimin se vendimet janë të motivuara politikisht.
OSBE-ja u bën thirrje anëtarëve të KQZ-së dhe aktorëve politikë të ruajnë profesionalizmin dhe paanshmërinë, duke siguruar që zgjedhjet të zhvillohen sipas praktikave më të mira ndërkombëtare.

Leave a Reply