Kurti në New York: Kosova, model për botën në menaxhimin e krizave pa cenuar stabilitetin

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mbajti një fjalim të rëndësishëm në një diskutim të organizuar nga Instituti Zolberg për Migracionin dhe Mobilitetin, pjesë e universitetit The New School në SHBA. Tema e diskutimit ishte “Mbështetja e qytetarëve të thjeshtë në një krizë ekonomike globale: Çfarë mund të mësojë bota nga Kosova”.

Gjatë fjalës së tij, Kurti ndau qasjen e qeverisë së tij në përballjen me krizat globale dhe orientimin e ndihmës drejt shtresave më në nevojë, një model që mund të shërbejë si shembull edhe për vendet e tjera që përballen me sfida të ngjashme.

Kurti theksoi se qeveria ka ndihmuar qytetarët kosovarë në këto kohë të vështira, pa rritur taksat ose borxhin publik. “Në një kohë kur ekonomitë globale po vuajnë nga detyrimet ndaj kreditorëve, është thelbësore që qeveritë të mendojnë jo vetëm për mbështetjen e qytetarëve të tyre, por edhe si ta bëjnë këtë pa krijuar një spirale të rrezikshme borxhi dhe pagesash me interes,” deklaroi ai.

Duke folur për masat kundër inflacionit, Kurti nënvizoi rëndësinë e ndalimit të përshkallëzimit të tij, kontrollin e çmimeve të importit dhe interest të korporatave që përfitojnë nga situata, duke dëmtuar konsumatorët.

Janë miratuar ligje për të rregulluar çmimet tavan, si në rastin e rritjes së çmimeve të karburanteve, produkteve farmaceutike dhe bazike, megjithëse kjo e fundit u sfidua nga opozita parlamentare dhe Gjykata Kushtetuese e rrëzoi atë.

Politikat e qeverisë përfshijnë rritjen e punësimit, mbështetje për fermerët, bizneset prodhuese, veçanërisht ato të vogla dhe të mesme, subvencionimin e energjisë për familjet, ndihmë për nënat dhe fëmijët me shtesa, programe për nxitjen e punësimit të të rinjve, bursa për studentët dhe fushat STEM, arsim publik falas, rritje të pagës minimale, pagave publike dhe pensioneve, si dhe mbulim më të madh për barnat për pacientët, ndërtimin e shkollave, çerdheve, urave dhe rrugëve rajonale.

Kurti përfundoi duke thënë se përkushtimi i qeverisë, përveç barazisë shoqërore dhe ndihmës për më të nevojshmit, është edhe zhvillimi, progresi, rritja ekonomike, siguria e qytetarëve, sundimi i ligjit dhe luftimi i korrupsionit.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *