NATO Rrit Praninë në Baltik pas Sulmeve me Dronë

NATO ka rritur vigjilencën në rajonin e Baltikut pasi Kopenhaga raportoi për një inkursion me dronë në hapësirën ajrore të Danimarkës, sipas një zëdhënësi të aleancës ushtarake perëndimore.

Masat e shtuara përfshijnë dislokimin e platformave të inteligjencës, mbikëqyrjes dhe zbulimit si dhe të paktën një fregatë kundërajrore në zonën pranë Rusisë, njoftoi zëdhënësi i NATO-s, Martin O’Donnell, gjatë një konference për media.

O’Donnell theksoi se udhëheqja e NATO-s ka qenë në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet daneze lidhur me incidentet e fundit me dronë, të cilat janë pjesë e një serie shkeljesh të hapësirave ajrore të vendeve anëtare të aleancës.

Dronët misteriozë që janë shfaqur në Danimarkë dhe Norvegji që nga e hëna, kanë detyruar autoritetet të mbyllin disa aeroporte. Danimarka ka lënë të kuptohet se Rusia mund të jetë e përfshirë pas këtyre dronëve.

Shtete të ndryshme të NATO-s kanë raportuar se avionët dhe dronët rusë kanë shkelur hapësirat e tyre ajrore në Evropë gjatë javëve të fundit, duke akuzuar Moskën se po teston aleancën.

Megjithatë, të enjten, Moska mohoi çdo sugjerim se ajo qëndronte pas incidenteve me dronë. Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, më 27 shtator paralajmëroi NATO-n se do të përballej me një “përgjigje vendimtare” nëse do të shfaqte “çfarëdo agresioni ndaj shtetit tim”./rel


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *