Në Gjykatën Themelore të Prishtinës, 23-vjeçarja A.M.
u akuzua për mbajtje të armëve pa leje, pasi në çantën e saj u gjet një sprej OC me mbishkrimin NATO. E akuzuara pranoi fajësinë dhe shprehu pendesë, duke theksuar se nuk ka pasur më parë probleme me ligjin.
Në seancën e zhvilluar të enjten, A.M. i premtoi gjykatës se nuk do të përsërisë veprën penale.
Avokati i saj, Shpend Gashi, kërkoi një dënim më të lehtë, duke cituar moshën e re dhe gjendjen ekonomike të dobët të klientes së tij. Prokurori Kushtrim Zeka nuk kundërshtoi pranimin e fajësisë, i cili u bë në mënyrë vullnetare dhe përputhej me shkresat e çështjes.
Gjykatësi Eroll Gashi konfirmoi pranimin e fajësisë, pasi u këshillua mbi pasojat dhe përfitimet e këtij veprimi. Sipas aktakuzës, A.M.
u ndalua në nëntor 2022 pranë Fakultetit Juridik të Universitetit të Prishtinës, ku sigurimi lajmëroi policinë gjatë një kontrolli çante. Çështja do të gjykohet më tej në një datë të mëvonshme.

Leave a Reply