Ambasadori francez apelon për pjesëmarrje gjithëpërfshirëse në zgjedhje

Ambasadori i Francës në Kosovë, Olivier Guérot, zhvilloi një takim me presidenten Vjosa Osmani, ku u diskutua situata politike dhe përgatitjet për zgjedhjet e ardhshme të 28 dhjetorit.

Guérot theksoi domosdoshmërinë e përfshirjes së të gjitha subjekteve politike në procesin zgjedhor për të garantuar një proces gjithëpërfshirës. Në kontekstin e tensioneve të fundit, ambasadori nënvizoi rëndësinë e medias së lirë dhe punës së gazetarëve si elemente thelbësore të një demokracie funksionale që duhen mbrojtur.

Guérot shprehu pritshmërinë që zgjedhjet të prodhojnë një qeveri të re, me të cilën Franca synon të thellojë bashkëpunimin dhe të kontribuojë në stabilitetin rajonal. Ai theksoi se Franca është e gatshme të mbështesë Kosovën në disa fusha, përfshirë tranzicionin energjetik, përgatitjet për Lojërat Mesdhetare 2030, anëtarësimin në Organizatën Ndërkombëtare të Frankofonisë dhe zgjerimin e shkëmbimeve ekonomike mes dy vendeve.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *