Gjatë një hetimi mbi transaksionet financiare të dyshimta të FC Vushtrria, Veriu.info ka zbuluar pagesa të kundërshtueshme nga llogaria e klubit, që shkelin marrëveshjen e sponsorizimit të miratuar nga Komisioni i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS).
Pagesa të shumta janë evidentuar drejt Mehdi Ukës, U.d. Drejtorit të Departamentit Ligjor të MKRS-së, i cili ka marrë 3,300 euro më 21 nëntor 2024 dhe dy pagesa të tjera më 26 mars dhe 26 maj 2025.
Kjo situatë ngre dyshime për konflikt interesi, pasi Uka, si zyrtar përgjegjës për mbikëqyrjen e përdorimit të sponsorizimeve, është paguar nga një klub që duhet të kontrollohet nga MKRS-ja. Ndërkohë, Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit ka deklaruar se angazhimi i Ukës nuk përbën konflikt interesi, duke e cilësuar atë si veprim ligjor.
Veriu.info ka dërguar pyetje në MKRS dhe kabinetin e ministrit në detyrë, Hajrulla Çeku, për të sqaruar situatën, por deri më tani nuk ka marrë përgjigje. Mehdi Uka ka theksuar se angazhimi i tij ishte i ndarë nga detyrat zyrtare dhe nuk kishte ndikim në proceset e sponsorizimit.

Leave a Reply