Kurti për pezullimin e Dialogut Strategjik me SHBA-në: Nuk bëj lëshime për sundimin e ligjit në veri

Kryeministri i përkohshëm i Kosovës, Albin Kurti, gjatë vizitës së tij në Shtetet e Bashkuara deklaroi se pezullimi nga Uashingtoni i Dialogut të planifikuar Strategjik me Kosovën lidhet me mbylljen e strukturave serbe në veriun e Kosovës, ku popullsia është kryesisht serbe.

Gjatë një diskutimi ku iu kërkua të shpjegonte arsyen e këtij vendimi të njoftuar nga SHBA më 12 shtator, Kurti theksoi se nuk mund të bëjë kompromise me sundimin e ligjit.

“[Arsyeja e pezullimit të Dialogut të planifikuar Strategjik] është për shkak të sundimit të ligjit në veri të Kosovës, i cili rezultoi të ishte kundër strukturave ilegale serbe dhe këtu nuk mund të bëj kompromise. Nuk mund t’ia lë këtë problem brezit tuaj. Mendoj që brezi im është ai që duhet ta përfundojë këtë,” deklaroi Kurti.

Kurti sqaroi se marrëdhënia mes Kosovës dhe SHBA-së është e ndërtuar mbi tre shtylla: mbrojtje, zhvillim dhe diplomaci. Ndërsa në dy të parat tha se nuk ka çështje problematike, në fushën e diplomacisë, sipas tij, ekzistojnë “pengesa”.

“Aty ku kemi disa pengesa është në diplomaci, sepse sipas meje, SHBA-ja e konsideron shumë të rëndësishme që ta tërheqë Serbinë nga hemisfera lindore sepse Serbia është e lidhur ngushtë me Moskën dhe ne, duke qenë të palëkundur në sundimin e ligjit, demokracinë, sovranitetin shtetëror dhe integritetin territorial, disa politikanë dhe diplomatë në SHBA vlerësojnë se ne nuk po e ndihmojmë SHBA-në që ta shkëpusë Serbinë nga Federata Ruse. Por, sinqerisht, ky nuk duhet të jetë problemi im,” tha Kurti, duke theksuar se ai mbron interesat e Kosovës.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *