Jovan Viçentijeviq, kolonel në Ushtrinë e Serbisë, akuzohet për organizimin e sulmit terrorist në kanalin “Ibër Lepenc” në Varagë, Zubin Potok, së bashku me vëllain e tij, Dragisha, dhe Igor Dimoviçiqin.
Prokuroria Speciale e Kosovës i ngarkon ata me përgjegjësi për dëmtimin e infrastrukturës publike që siguron ujë të pijshëm dhe energji elektrike. Sipas aktakuzës, më 29 nëntor të vitit të kaluar, një shpërthim i fuqishëm u shkaktua nga eksploziv ushtarak, duke dëmtuar rëndë kanalin dhe ndërprerë furnizimin me ujë për disa komuna.
Dëmi i vlerësuar arrin në 376 mijë euro. Në hetimet e kryera në shtëpitë e të dyshuarve, janë gjetur armë të paligjshme, mes të cilave kallashnikovë, granata dhe pajisje të tjera ushtarake.
Jovan Viçentijeviq, gjithashtu, akuzohet për spiunazh në favor të Shërbimit Informativ Ushtarak të Serbisë, duke përfshirë dokumente të klasifikuara dhe vëzhgime të forcave të KFOR-it. Të arrestuarit janë në paraburgim që nga arrestimi në fund të vitit të kaluar.

Leave a Reply