Marrëdhëniet mes Europës dhe Shteteve të Bashkuara janë në një pikë krize, pa shenja përmirësimi.
Kjo u konfirmua nga intervista e Donald Trump për Politico, ku ai shprehu shqetësimet e tij për kontinentin europian, duke e cilësuar si një grup kombesh në rënie dhe të udhëhequr nga liderë të dobët. Trump kritikoi ashpër disa liderë europianë, duke i akuzuar për politikë të dobët emigracioni dhe për dështim në luftën Rusi-Ukrainë.
Ai kërkoi që Brukseli të harmonizojë politikat me Uashingtonin. Në të njëjtën intervistë, Trump bëri thirrje që Presidenti ukrainas, Volodymir Zelensky, të mbajë zgjedhje dhe të pranojë realitetin në lidhje me fuqinë negociuese të Rusisë.
Këto deklarata nuk kaluan pa reagime. Presidenti i Këshillit Europian, Antonio Costa, i kërkoi Trump të tregojë respekt për zgjedhjet demokratike në Europë dhe të sillet si aleat.
Ai theksoi rëndësinë e respektimit të zgjedhjeve të qytetarëve, njësoj si europianët respektojnë zgjedhjet në SHBA. Në përgjigje, Zelensky, gjatë vizitës së tij në Romë, deklaroi se është i gatshëm të mbajë zgjedhje në çdo moment.
Ndërkohë, Trump sqaroi se anëtarësimi i Ukrainës në NATO nuk është në tavolinë, një qëndrim i njohur që më parë. Këto qëndrime të Trump kanë shkaktuar trazira në marrëdhëniet me Europën, duke ndikuar në çështje si lufta në Ukrainë dhe politikat globale.

Leave a Reply