Kosova do të mbajë zgjedhje të parakohshme më 28 dhjetor pas bllokadës disa mujore të krijuar nga mosmarrëveshjet për postin e kryetarit të Kuvendit dhe dështimit të Lëvizjes Vetëvendosje për formimin e qeverisë.
Profesori amerikan Daniel Serwer, i njohur për analizat e tij mbi rajonin, ka shprehur pritshmëri që zgjedhjet të jenë të lira dhe fer. Serwer ka theksuar rëndësinë e një votimi të qartë nga qytetarët për të shmangur bllokada të reja politike.
Edhe pse situata ka dëmtuar pozicionin e Kosovës, ai beson se nuk është e pakthyeshme dhe se dialogu i bllokuar ishte i destinuar për dështim. Sa i përket akuzave ndaj presidentes Vjosa Osmani, Serwer thekson se në një sistem parlamentar përgjegjësia ndaj formimit të qeverisë bie pjesërisht edhe mbi presidentin.
Për raportet me SHBA-në, ai mendon se vendimi për suspendimin e dialogut strategjik ishte një shenjë pakënaqësie me kryeministrin Albin Kurti. Serwer sugjeron se Kosova duhet të riparojë marrëdhëniet me SHBA-në dhe BE-në dhe të synojë anëtarësimin në NATO.
Ai gjithashtu shprehet se përparimi në dialogun Kosovë-Serbi është i vështirë me Aleksander Vuçiq në pushtet, për shkak të mungesës së interesit për normalizimin e marrëdhënieve. Për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, Serwer vlerëson që ky proces duhet të ndodhë në fund të dialogut, pasi pa njohjen nga Serbia, krijimi i tij do të krijonte rreziqe për Kosovën.

Leave a Reply