Gjermania mbështet projektin diellor të KEK-ut në Kosovë

Një delegacion i rëndësishëm nga Ministria Federale për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim e Gjermanisë (BMZ), Ambasada Gjermane dhe KfW vizitoi sot parkun solar të projektit strategjik “Solar4Kosovo I – Photovoltaics (100 MW)” në Kosovë.

Ky projekt përfaqëson një nga iniciativat më të mëdha të energjisë së ripërtëritshme në vend dhe ka hyrë në fazën e parë të tenderimit për dizajnimin dhe instalimin e impiantit. Delegacioni u prit nga Drejtori Ekzekutiv i Divizionit për Energji të Ripërtëritshme në KEK, Erdoan Zasella, i cili theksoi rëndësinë e diversifikimit të burimeve energjetike.

Vizita u kryesua nga Micong Klimes, zyrtare për Kosovën në BMZ, duke nënvizuar mbështetjen gjermane për këtë projekt. Projekti financohet nga Bashkimi Evropian, Qeveria Gjermane dhe Banka Evropiane e Investimeve, dhe synon të rrisë kapacitetet e energjisë së ripërtëritshme dhe të forcojë sigurinë energjetike të Kosovës.

KEK ka ftuar kompani të kualifikuara të aplikojnë për pjesëmarrje në këtë proces të rëndësishëm, i cili do të zhvillohet me transparencë dhe standarde evropiane.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *