Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së ka shprehur shqetësim lidhur me deklaratat e kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, i cili njoftoi krijimin e një “shtabi krize” për protestën e planifikuar më 13 dhjetor në Shkup.
OVL-UÇK theksoi se protesta synon të jetë një manifestim paqësor, qytetar dhe demokratik, duke mbrojtur dinjitetin dhe duke kundërshtuar padrejtësitë në Hagë, pa asnjë qëllim partiak. Veteranët kritikuan Mickoskin për përpjekjen për të paraqitur protestën si një kërcënim për sigurinë publike.
Sipas tyre, krijimi i “shtabit të krizës” vetëm sa do të përshkallëzonte tensionet dhe do të keqinterpretonte tubimin. Organizata siguroi qytetarët se protesta është e planifikuar në mënyrë të rregullt dhe se do të ruhet qetësia, duke ftuar institucionet të mos politizojnë të drejtën e protestës.
Ata theksuan se liria e shprehjes dhe e tubimit është e garantuar dhe do të ushtrohet me përgjegjësi dhe dinjitet.

Leave a Reply