Pas shpalljes së mundësisë për zbatimin e sanksioneve të Shteteve të Bashkuara (SHBA) ndaj Industrisë së Naftës së Serbisë (NIS), kompania më e madhe e naftës në këtë shtet, duke filluar nga data 1 tetor, është ngritur shqetësimi për rrugën e furnizimit me naftë bruto që NIS importon dhe transporton përmes Kroacisë.
“Do të jetë sfiduese për NIS të sigurojë naftë, kufizimi do të ndikojë në transportin përmes Kroacisë dhe pagesat,” tha ekonomisti Millan Kovaçeviq për Shërbimin e Ballkanit të Radios Evropa e Lirë, duke diskutuar për pasojat e mundshme të sanksioneve amerikane ndaj NIS-it.
SHBA-ja ka shtyrë zbatimin e sanksioneve gjashtë herë që nga janari, kur NIS u përfshi në listën e kompanive të sanksionuara për shkak të pronësisë ruse.
Shtyrja e fundit e sanksioneve ishte më 26 shtator, vetëm për disa ditë, deri më 1 tetor.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, paralajmëroi zbatimin e sanksioneve amerikane nga 1 tetori gjatë një deklarate për gazetarët në Nju Jork, më 25 shtator.
Ai deklaroi se Serbia do të paguajë një çmim të lartë për sanksionet dhe se ky është “dëm kolateral” për shkak të marrëdhënieve mes SHBA-së dhe Rusisë.
“Na pret një kohë e vështirë dhe një dimër i ashpër,” tha Vuçiq.
Si reaguan qytetarët në Serbi ndaj lajmit për zbatimin e sanksioneve?
Fjalët e zyrtarëve dhe ekspertëve nuk shqetësojnë Raden nga Beogradi, i cili, siç tha për REL-in, furnizohet me karburant “vetëm në stacionet e NIS-it”.
“Nuk kam frikë nga mungesat. Gjithmonë ka një zgjidhje, ia dolëm në vitet ’90, do t’ia dalim edhe tani,” tha Rade.
Megjithatë, ai shqetësohet për rritjen e çmimeve të karburantit.
Një tjetër qytetar nga Beogradi, taksisti Dragomir Antoniq, tha se nuk shqetësohet fare.
“Po të isha më i ri, do të kisha frikë, por tani që jam i moshuar dhe punoj [me taksi] për të plotësuar pensionin tim, kjo nuk më intereson,” tha ai për REL-in.
NIS njoftoi se “kemi siguruar sasi të mjaftueshme të rezervave të naftës së papërpunuar dhe të produkteve të naftës për furnizimin e tregut në këtë moment,” duke theksuar se stacionet janë “të furnizuara rregullisht.”
“NIS respekton ligjet e Republikës së Serbisë dhe të shteteve të tjera ku operon dhe me veprimtarinë e saj nuk ka kontribuar në vendosjen e sanksioneve që kërcënojnë punën e kompanisë dhe stabilitetin social të më shumë se 13,000 punonjësve,” u tha në njoftimin e lëshuar më 26 shtator.
Sipas kompanisë, ajo ende pret përgjigjen e autoriteteve amerikane ndaj kërkesës për të hequr NIS-in nga lista e sanksioneve, një proces që, sipas saj, është “i gjatë dhe kompleks.”
Ministria e Minierave dhe Energjetikës e Serbisë deri në publikimin e këtij teksti nuk ka kthyer përgjigje për REL-in se çfarë pasojash të drejtpërdrejta dhe të tërthorta mund të ketë për NIS-in dhe për qytetarët e Serbisë në rast se SHBA-ja fillon të zbatojë sanksionet nga 1 tetori.
Si ndikon zbatimi i sanksioneve në xhepat e qytetarëve?
Kompania importon pjesën më të madhe të naftës së papërpunuar, të cilën NIS e përdor për përpunim dhe shpërndarje në stacionet e karburanteve. Kështu thuhet edhe në raportin gjashtëmujor të vetë kompanisë, sipas të cilit sasia e naftës nga prodhimi vendas përbënte një të tretën e totalit.
Sipas të dhënave të Agjencisë për Energjetikë të Serbisë, që nga viti 2023, Serbia nuk importon më naftë ruse. Megjithatë, me zbatimin e sanksioneve, edhe disponueshmëria e naftës me origjinë tjetër do të vihej në pikëpyetje, pasi ajo duhet t’i dorëzohet një kompanie në pronësi ruse, që është subjekt i sanksioneve.
Nafta që dërgohet në rafinerinë e NIS-it në Pançevë kalon përmes naftësjellësit JANAF, ku shteti kroat mban shumicën e aksioneve. Sipas deklaratave nga JANAF dhe zyrtarëve kroatë, kjo kompani do të prekej gjithashtu nëse SHBA fillon zbatimin e sanksioneve ndaj NIS-it, duke qenë se NIS është partneri më i madh i tyre.
Ministri kroat i ekonomisë, Ante Shushnjar, ka thënë më herët gjatë këtij viti se humbja e marrëveshjes së JANAF-it me NIS-in do të nënkuptonte humbje të të hyrave dhe rritje të shpenzimeve për ruajtjen e naftës që nuk do të mund të transportohej.
“Pra, furnizimi me naftë për NIS-in do të vështirësohet, nga njëra anë, dhe nga ana tjetër, pasi ka mjaft vende ku NIS-i ka eksportuar derivate të naftës, edhe kjo do të vështirësohet,” theksoi ekonomisti Millan Kovaçeviq.
E gjithë kjo, sipas tij, do të sjellë vështirësi dhe rritje të kostove të funksionimit të vetë NIS-it.
“Kjo mund të ketë si pasojë së pari shtrenjtimin e furnizimit të tregut të Serbisë me derivate, dhe herë pas here mund të ketë edhe mungesa,” shpjegoi Kovaçeviq.
NIS tashmë po shënon humbje. Në raportin financiar të publikuar në gusht thuhet se kompania, në fund të gjashtëmujorit të parë, ka operuar me humbje prej 3.6 miliardë dinarësh (30 milionë euro), ndër të tjera, për shkak të sanksioneve të SHBA-së, por edhe rënies së çmimit të naftës në tregun botëror.
Cilat janë sfidat për pagesat?
Një nga çështjet që, ndoshta, do të ndikonte më së shumti te qytetarët e Serbisë, është nëse pagesa me kartela në pikat e karburantit të NIS-it do të mund të realizohen pas fillimit të zbatimit të sanksioneve.
“Nëse kjo është pjesë e sanksioneve apo jo, nuk e dimë,” tha për Radion Evropa e Lirë bankieri dhe këshilltari financiar, Vlladimir Vasiq.
Ai theksoi se zbatimi i sanksioneve ndaj NIS-it mund të ketë pasoja për sistemin e pagesave të kësaj kompanie.
“NIS është një kompani e madhe, strategjike, aty qarkullojnë shumë para. Nga njëra anë, bankat që veprojnë në Serbi dhe që zbatojnë sanksione ndaj NIS-it për shkak të kompanive të tyre mëmë, të cilat janë në Bashkimin Evropian, nuk do të dëshironin t’i ekspozoheshin ndonjë kostoje shtesë ose ndalese të mundshme të biznesit nga ana e bankave të tyre amë,” shpjegon Vasiq.
Sipas tij, zgjidhja do të ishte që pjesa më e madhe e kryerjes së pagesave të transferohej te një bankë në pronësi të shtetit, në këtë rast, siç tha ai, Banka Kursimore Postare e Serbisë.
“Sfida për një bankë vendase është nëse ka mjaftueshëm kapital për të mbështetur funksionimin, pra për t’i dhënë NIS-it garanci prej disa qindra milionë eurosh ose dollarësh,” vlerëson Vasiq.
Ai shtoi se me vendosjen e sanksioneve, kostot e operimit të NIS-it do të r

Leave a Reply