Zbulohen raste të shumta të posedimit të armëve pa leje në vend

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se në 24 orët e fundit janë raportuar disa raste të mbajtjes së armëve pa leje në komuna të ndryshme të vendit.

Në Prishtinë, një i dyshuar me kombësi të huaj është arrestuar pasi gjatë kontrollit policor tek ai janë gjetur dhe konfiskuar një sprej dhe një pajisje elektroshoku. Me urdhër të prokurorit, i dyshuari është dërguar në paraburgim.

Në Kamenicë, gjatë kontrollit të një veture, tek një i dyshuar janë gjetur një karikator dhe 26 fishekë të kalibrit 9 mm. Pas intervistimit, i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt me vendim të prokurorit.

Një tjetër rast është regjistruar në Rahovec, ku gjatë kontrollit në shtëpinë e një të dyshuari janë gjetur dhe konfiskuar një kondak armë (model i panjohur) dhe një detektor metali. Me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në paraburgim.

Ndërkohë, në Gjakovë, një i dyshuar është arrestuar pasi dyshohet se ka shtënë me armë zjarri. Në vendngjarje, policia ka konfiskuar një armë zjarri, një karikator me 10 fishekë dhe 8 gëzhoja. I dyshuari, pas intervistimit, është liruar në procedurë të rregullt me vendim të prokurorit.

Policia ka njoftuar se të gjitha rastet po trajtohen në koordinim me prokuroritë përkatëse dhe në përputhje me ligjet në fuqi.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *