Afati për masën e përkohshme përfundon nesër – Çfarë vendimi mund të marrë Gjykata Kushtetuese lidhur me Kuvendin?

Më pak se një ditë ka mbetur deri në skadimin e masës së përkohshme të vendosur nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës, e cila ndalon çdo procedurë për formimin e qeverisë së re deri më 30 shtator. Kjo masë do të skadojë nesër, dhe mbetet e paqartë se cili do të jetë hapi i ardhshëm në këtë çështje të rëndësishme politike për vendin.

Kuvendi i Kosovës ende nuk është konstituuar, megjithëse një deklaratë tjetër ka ardhur nga kryetari i Kuvendit, Dimal Basha. Basha pretendoi se Kuvendi është konstituuar, ndonëse dihet se kjo nuk është e vërtetë.

Proceset në Kuvend janë ndalur që nga momenti kur duhej zgjedhur nënkryetari i komuniteteve nga radhët e serbëve. Përpjekjet për të zgjedhur Nenad Rashiq nga Vetëvendosje dështuan.

Pas kësaj, Lista Serbe i drejtoi çështjen Gjykatës Kushtetuese, duke lënë Kuvendin të bllokuar dhe institucionet e reja të pazgjedhura. Pyetja që ngrihet është çfarë mund të ndodhë më tej sipas ekspertëve të drejtësisë dhe cilët janë skenarët e mundshëm.

Çështja e ndarjes së votimit për kandidatët për nënkryetarë të Kuvendit nga komunitetet pakicë bëri që më 5 shtator Gjykata Kushtetuese të vendoste një masë të përkohshme për të ndaluar çdo veprim për formimin e qeverisë së re për shkak të dyshimeve për shkelje kushtetuese.

Lista Serbe u ankua në Gjykatën Kushtetuese kundër veprimeve të kryetarit të ri të Kuvendit, Dimal Basha, i cili shpalli organin ligjvënës të konstituuar, edhe pse nënkryetari nga minoriteti serb nuk ishte zgjedhur.

Kushtetuesja shpjegoi se masa ishte vendosur ex officio dhe në bazë të kërkesës së deputetëve të partisë më të madhe serbe në Kosovë, për të shmangur “rreziqet ose dëmet e pariparueshme”.

Si mund të gjykojë Kushtetuesja çështjen?

Zahir Çerkini, profesor i së Drejtës Kushtetuese në Universitetin “Isa Boletini” në Mitrovicë, tha për Radion Evropa e Lirë se Kushtetuesja gjithmonë është mbështetur në praktikën e konstituimit të Kuvendit. Ai pret që Gjykata të konstatojë se shkelja e vetme ishte ndarja e votimit të nënkryetarëve, pasi praktika e mëparshme kërkon zgjedhjen e tyre në pako.

Ehat Miftaraj, drejtor i Institutit të Kosovës për Drejtësi, pret një vendim të ngjashëm. Lëvizja Vetëvendosje (LVV), partia fituese e zgjedhjeve të 9 shkurtit, ka pritje të tjera. Në një deklaratë të Zyrës për Media të LVV-së për REL-in thuhet: “Ne presim që Kuvendi të konfirmohet si i konstituuar, pasi Kryetari i Kuvendit i ka respektuar dhe ndjekur të gjitha procedurat e parashikuara me Kushtetutë, jurisprudencën e Gjykatës dhe Rregulloren e Kuvendit”.

Për LVV-në, Emilija Rexhepi, përfaqësuesja e pakicave joserbe e zgjedhur nënkryetare e Kuvendit, u votua “në mënyrë të rregullt dhe nuk ka të drejtë askush t’ia marrë këtë të drejtë grupit multietnik”.

Asnjëri nga 10 përfaqësuesit e komunitetit serb nuk arriti të zgjidhet nënkryetar i Kuvendit. Lista Serbe, që ka 9 nga 10 vendet e rezervuara për serbët, propozoi vetëm Sllavko Simiq, i cili nuk siguroi 61 votat e nevojshme as pas tri rundeve të votimit. Kur Lista Serbe refuzoi të propozonte një kandidat tjetër përveç Simiqit, kryetari Basha hodhi short për të nxjerrë një emër tjetër sipas Rregullores së Kuvendit.

Miftaraj tha për REL-in se “nëse merren për bazë aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2014 dhe 2025 dhe standardi që është ndërtuar në 11 vitet e fundit lidhur me konstituimin e Kuvendit të Kosovës, Gjykata Kushtetuese mund të vendosë kthimin e votimit në pako për dy nënkryetarët e komuniteteve joshumicë”.

Ai shtoi se nëse Gjykata merret për bazë Rregullorja e Punës së Kuvendit, mund të sqarojë procedurën e votimit për kandidatët e pakicave që kanë shumicën e votave të deputetëve.

Çerkini beson se Gjykata do të theksojë se procedura e konstituimit duhet të vazhdojë aty ku ka mbetur, duke përdorur ditët e mbetura nga afati 30-ditor i një aktgjykimi paraprak.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *