OBSH: Pothuajse 800 mijë shqiptarë përballen me sfidën e hipertensionit

Të dhënat tregojnë se rreth 47% e shqiptarëve të moshës 30–79 vjeç vuajnë nga tensioni i lartë i gjakut, një shifër shumë më e lartë se mesatarja botërore prej 34%

Sëmundjet e qarkullimit të gjakut, veçanërisht hipertensioni, kanë prekur popullsinë shqiptare në mënyrë shqetësuese, sipas raportit global të OBSH-së të publikuar së fundmi.

Të dhënat tregojnë se rreth 47% e shqiptarëve të moshës 30–79 vjeç janë të prekur nga tensioni i lartë i gjakut, një normë dukshëm më e lartë se mesatarja botërore prej 34%.

Nga mbi 797 mijë persona të prekur, vetëm 49% janë të diagnostikuar, 38% janë në trajtim, dhe vetëm 11% e mbajnë gjendjen nën kontroll. Kjo e rendit Shqipërinë ndër vendet me nivelin më të ulët të kontrollit në rajon, shumë larg objektivit global prej 50%, shkruan Monitor, transmeton albinfo.ch.

Trendet historike tregojnë një rritje të vazhdueshme të rasteve të diagnostikuara, por hendeku mes pacientëve që trajtohen dhe atyre që e menaxhojnë mbetet i madh.

Në vitin 2022, sëmundjet kardiovaskulare përbënin gati gjysmën e të gjitha vdekjeve në vend, ndërsa 59 raste për 100 mijë banorë lidhen drejtpërdrejt me presionin e lartë të gjakut.

Megjithëse Shqipëria ka një strategji kombëtare për sëmundjet që lidhen me tensionin dhe ato kardiovaskulare, zbatimi praktik mbetet i dobët.

Sipas OBSH, faktori kryesor i rrezikut për hipertensionin është konsumi i lartë i kripës. Shqiptarët konsumojnë mesatarisht 13 gramë në ditë, sipas të dhënave për të rriturit mbi 25 vjeç. Ky nivel është më shumë se dyfishi i rekomandimit të OBSH-së (5 gramë në ditë). Teprica lidhet drejtpërdrejt me rritjen e presionit të gjakut dhe është një nga arsyet kryesore pse kjo sëmundje është kaq e përhapur në vend.

Shqipëria ka kryer studime kombëtare për përdorimin e kripës, por mungon ende një sistem i plotë të dhënash klinike që ndihmon në ndjekjen e pacientëve dhe në matjen e rezultateve për ata që e ulin.

OBSH thekson se, për të ulur barrën e hipertensionit, vendi duhet të forcojë kujdesin parësor, të zgjerojë fushatat e ndërgjegjësimit dhe të përmirësojë aksesin në trajtim efektiv.

Shqipëria përballet me një alarm shëndetësor me 47% të popullsisë së rritur që vuajnë nga hipertensioni, i cili është një nga faktorët kryesorë të rrezikut për sëmundjet e zemrës dhe goditjet në tru, që përbëjnë shkakun kryesor të vdekshmërisë në vend.

Përveç konsumit të kripës, rreth 26% e të rriturve mbi 15 vjeç në Shqipëri janë duhanpirës aktivë. Ky nivel është i lartë në krahasim me shumë vende të tjera evropiane. Duhan-pirja jo vetëm rrit rrezikun për hipertension, por edhe shumëfishon ndikimin e tij, duke përshpejtuar dëmtimet kardiovaskulare dhe duke rritur mundësinë për infarkt e goditje në tru.

Konsumi i alkoolit dhe inaktiviteti fizik janë faktorë rreziku gjithashtu. Rreth 24% e të rriturve mbi 18 vjeç raportohen si fizikisht joaktivë. Mungesa e lëvizjes lidhet me shtim peshe, obezitet dhe metabolizëm të dobët, faktorë që çojnë në rritjen e presionit të gjakut.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *