Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka nisur dërgimin e pakove me fletëvotime për zgjedhjet e jashtëzakonshme në Kuvendin e Kosovës për rreth 58 mijë votues të regjistruar jashtë vendit.
Shtypja e fletëvotimeve është bërë në Slloveni, dhe ato kanë mbërritur në Kosovë më 12 dhjetor. Procesi i përgatitjes së pakove individuale nga KQZ për çdo votues të veçantë ka nisur menjëherë pas kësaj.
Votuesit e regjistruar kanë mundësinë të ndjekin gjurmimin e pakove të tyre përmes numrave të veçantë të gjurmimit të përfshira në çdo dërgesë. KQZ ka njoftuar se votimi me postë do të përfundojë më 27 dhjetor 2025.
Votuesit duhet të dorëzojnë pakot në adresat e kutive postare të KQZ-së në shtetet ku ata jetojnë ose në kutitë postare më të afërta. KQZ i inkurajon qytetarët të dorëzojnë pakot sa më shpejt të jetë e mundur, në mënyrë që të sigurohet mbërritja e tyre në kohë për numërim në Kosovë.
Kutitë postare janë funksionale në 23 shtete, përfshirë Australinë, Gjermaninë dhe Mbretërinë e Bashkuar.

Leave a Reply