Prokuroria e Lartë Publike në Suboticë të Serbisë ka ndërprerë hetimet ndaj ish-pjesëtarit të Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës, Arbnor Spahiu, i cili ishte akuzuar për “vrasje të rëndë”.
Sipas zyrës së prokurorisë, ky vendim u mor më 21 nëntor për shkak të mungesës së provave. Spahiu u arrestua nga autoritetet serbe më 7 qershor në pikën kufitare me Hungarinë, teksa po udhëtonte me familjen nga Austria për në Kosovë.
Ai qëndroi mbi pesë muaj në një qendër ndalimi në Serbi. Avokati i tij, Arianit Koci, ka konfirmuar lirimin e tij më 21 nëntor dhe kthimin në Kosovë, duke theksuar se nuk kishte prova që e lidhin Spahiun me akuzat, pasi ai nuk ishte pjesë e Policisë së Kosovës në kohën e ngjarjeve të përmendura.
Ndërkohë, për sulmin në Banjskë në shtator 2023, ku u vra rreshteri Afrim Bunjaku dhe tre nga grupi terrorist, Millan Radoiçiq pranoi përgjegjësinë. Kosova kërkon vazhdimisht ekstradimin e tij për t’u gjykuar si organizatori i sulmit.
Radoiçiq u lirua pas marrjes në pyetje, por mbetet me ndalesë udhëtimi dhe pritet të përballet me aktakuzë në fund të vitit 2024.

Leave a Reply