Edon Bujupi dënohet me 12 vjet burg për vrasjen e vjehrrit në Prishtinë

Gjykata Themelore e Prishtinës ka dhënë një vendim dënues për Edon Bujupin, i cili akuzohet për vrasjen e vjehrrit të tij, A.K. Në këtë vendim, Bujupi është shpallur fajtor për veprën penale “Vrasje e kryer në tejkalim të mbrojtjes së nevojshme” dhe është dënuar me 12 vjet heqje lirie.

Ky vendim është shpallur të hënën nga kryetarja e trupit gjykues, Fatime Dermaku.

Sipas këtij vendimi, koha që Bujupi ka kaluar në paraburgim do të përfshihet në dënimin me burgim, dhe paraburgimi i tij është vazhduar.

Gjithashtu, Bujupi është i detyruar të paguajë shpenzimet procedurale, duke përfshirë një taksë gjyqësore prej 100 euro dhe 50 euro të tjera për fondin e kompensimit të viktimave të krimit, brenda 15 ditësh nga hyrja në fuqi e vendimit.

Të dëmtuarit, A.K. dhe A.K., janë udhëzuar të vazhdojnë në proces të rregullt juridiko-civil. Ankesa ndaj këtij vendimi mund të bëhet brenda 30 ditësh në Gjykatën e Apelit përmes kësaj gjykate.

Në arsyetimin e vendimit, gjykatësja Dermaku deklaroi se ndryshimi i kualifikimit të veprës nga “Vrasje” në “Vrasje e kryer në tejkalim të mbrojtjes së nevojshme” u bë sepse i akuzuari ishte sulmuar nga viktima dhe një dëshmitar.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë, e datës 21 tetor 2024, thuhet se Edon Bujupi, më 29 nëntor 2023, rreth orës 21:15, në banesën e tij në rrugën “Ali Vitija”, pas një mosmarrëveshjeje me miqtë e tij (babai dhe vëllai i gruas), filloi një përleshje fizike, ku me qëllim për të privuar nga jeta, i pandehuri Edon e goditi me armë të ftohtë – një thikë me teh 19 centimetra – në anën e majtë të kraharorit të tashmë të ndjerit A.K., i cili për shkak të plagëve të marra ndërroi jetë në SHSKUK.

Sipas aktakuzës, Bujupi akuzohet për veprën penale “Vrasje” sipas nenit 172 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës./Betimi për Drejtësi/


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *