Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur një aktgjykim dënues për Edon Bujupin, i cili ishte akuzuar për vrasjen e vjehrrit të tij, A.K. Sipas këtij vendimi, Bujupi u shpall fajtor për veprën penale “Vrasje e kryer në tejkalim të mbrojtjes së nevojshme” dhe u dënua me 12 vjet burgim.
Kryetarja e trupit gjykues, Fatime Dermaku, shpalli aktgjykimin ndaj të akuzuarit Bujupi të hënën, raportoi “Betimi për Drejtësi”.
Vendimi përcakton që në dënimin me burgim do të llogaritet edhe periudha e kaluar në paraburgim, e cila u zgjat për të akuzuarin.
Gjithashtu, Bujupi është i detyruar të mbulojë shpenzimet procedurale, duke përfshirë një paushall gjyqësor prej 100 euro dhe 50 euro të tjera për fondin për kompensimin e viktimave të krimit, brenda 15 ditëve nga plotfuqishmëria e aktgjykimit.
Palët e dëmtuara A.K. dhe A.K. udhëzohen që të ndjekin një kontest të rregullt juridiko-civil. Ankesa mund të bëhet brenda 30 ditëve në Gjykatën e Apelit përmes kësaj gjykate.
Në arsyetimin e vendimit, gjykatësja Dermaku theksoi se ndryshimi i kualifikimit të veprës penale nga “Vrasje” në “Vrasje e kryer në tejkalim të mbrojtjes së nevojshme” u bë sepse i akuzuari ishte sulmuar nga viktima dhe dëshmitari.
Aktakuza e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, e datës 21 tetor 2024, deklaron se më 29 nëntor 2023, rreth orës 21:15, në banesën e tij në rrugën “Ali Vitija”, pas një mosmarrëveshjeje me miqtë e tij (babain dhe vëllain e gruas), ndodhi një përleshje. Gjatë përleshjes, me qëllim për të privuar nga jeta, i pandehuri Edon e goditi me një armë të ftohtë – një thikë me teh 19 centimetra – në regjionin e majtë të kraharorit të ndjerit A.K., i cili ndërroi jetë në SHSKUK si pasojë e plagëve.
Në bazë të aktakuzës, Bujupi akuzohet për kryerjen e veprës penale “Vrasje” sipas nenit 172 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Leave a Reply