Autoriteti i Konkurrencës kërkon kontroll çmimesh gjatë festave

Autoriteti i Konkurrencës në Kosovë ka bërë një apel të rëndësishëm për bizneset, duke kërkuar që të respektohet Ligji për mbrojtjen e konkurrencës dhe të shmanget çdo ngritje e pajustifikuar e çmimeve gjatë periudhës së festave të fundvitit.

Sipas njoftimit të publikuar nga AKK, çdo marrëveshje apo veprim që synon rritjen artificiale të çmimeve apo kufizimin e konkurrencës konsiderohet shkelje e rëndë dhe do të ndëshkohet ligjërisht. Nga fillimi i dhjetorit, inspektorët e këtij autoriteti do të jenë aktivë në terren, duke monitoruar lëvizjet e çmimeve për të siguruar që ato pasqyrojnë kushtet reale të tregut.

AKK-ja ka nënvizuar se festat e fundvitit nuk duhet të përdoren si justifikim për rritje të koordinuara të çmimeve apo abuzim me konsumatorët. Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, çmimet e disa produkteve “Made in Kosova” janë rritur ndjeshëm në tremujorin e tretë të këtij viti.

Kjo rritje përfshin sektorë si prodhimi i mjeteve motorike dhe energjia elektrike, ndërsa janë regjistruar edhe ngritje në prodhimin e tekstilit dhe produkteve farmaceutike. Autoriteti i fton konsumatorët të raportojnë çdo dyshim për abuzim.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *