Analisti politik Albert Krasniqi ka ngritur pikëpyetje mbi veprimet e dy anëtarëve të Vetëvendosjes në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, Alban Krasniqi dhe Sami Kurteshi, duke pyetur se çfarë duhet të ndodhë që ata të shkarkohen nga pozitat e tyre.
Krasniqi theksoi se këta anëtarë kanë kryer vazhdimisht veprime që shkelin ligjin dhe dëmtojnë integritetin e procesit zgjedhor. Që nga momenti kur Valdete Daka u largua nga detyra nga Presidentja Osmani, një vendim që Krasniqi e konsideron antikushtetues dhe i bazuar në akuza të pabaza nga Vetëvendosje, këta dy anëtarë, sipas tij, janë bërë më të guximshëm në sjelljet e tyre destruktive brenda KQZ-së.
Ai vë në dukje se objektivi i tyre janë gratë në KQZ, përfshirë ish-kryesuesen dhe anëtaret e komuniteteve jo-shumicë, si dhe gazetarët dhe shoqëria civile. Krasniqi thekson se ky selektivitet tregon një ushtrim të pushtetit dhe frikësim të qëllimshëm ndaj grupeve të pambrojtura, ndërsa mungesa e reagimit nga opozita vetëm sa u jep hapësirë për të vazhduar këto veprime.

Leave a Reply