Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Dimal Basha, priti në takim ambasadorin e Hungarisë në Kosovë, Lászlo István Dux. Nga zyra e kryetarit u bë e ditur se diskutimi u fokusua në zhvillimet aktuale në Kosovë dhe në marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve.
“Kryetari Basha dhe ambasadori Dux zhvilluan bisedë të thellë për bashkëpunimin e shkëlqyer mes popujve dhe institucioneve të të dyja shteteve, me theks të veçantë në forcimin e ndërveprimit në nivel të komisioneve të përbashkëta”, thuhet në komunikatën për media.
Gjithashtu, u theksua se “Ambasadori Lászlo István Dux i dorëzoi kryetarit Basha urimin e kryetarit të Kuvendit të Hungarisë, duke e ftuar njëkohësisht në Takimin e kryetarëve të kuvendeve të Evropës Juglindore, që do të mbahet në nëntor të këtij viti”.
Kryetari Basha falënderoi ambasadorin hungarez për mbështetjen e vazhdueshme të vendit të tij në rrugëtimin e Kosovës drejt BE-së dhe shprehu mirënjohjen për kontributin për paqen dhe sigurinë nga trupat hungareze në kuadër të KFOR-it. Ai shprehu keqardhjen për lëndimet që ushtarët hungarezë pësuan në sulmin e vitit 2023, i cili u krye nga strukturat kriminale në veri.
Në takim u bisedua gjithashtu për Programin e Bursave “Stipendium Hungaricum”, që ka hapur mundësi të reja për zhvillimin profesional dhe akademik për studentët tanë, duke ndërtuar ura miqësie përmes njohjes së kulturave dhe traditave të vendeve tona.
“Qëndrimi ynë i përbashkët është se Kosova dhe Hungaria do të vazhdojnë ta thellojnë partneritetin në shërbim të stabilitetit rajonal dhe të ardhmes sonë evropiane”, theksoi kryetari Dimal Basha.

Leave a Reply