IHMK kundërshton parashikimet për temperatura ekstreme në Kosovë

Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës (IHMK) ka sqaruar qytetarët pas raportimeve për temperatura ekstreme deri në -20°C dhe borë në fund të vitit, që kanë shkaktuar shqetësim dhe konfuzion.

Instituti thekson se është entiteti i vetëm i autorizuar ligjërisht për të bërë njoftime zyrtare mbi motin në Kosovë, sipas Ligjit Nr. 06/L-035 për Veprimtarinë Hidrometeorologjike.

IHMK nënvizon se parashikimet e motit dhe paralajmërimet për fatkeqësitë natyrore jepen ekskluzivisht prej tij. Çdo subjekt ose individ tjetër që ofron parashikime të tilla vepron jashtëligjshëm dhe në mënyrë të pasaktë shkencërisht.

Reagimi i IHMK-së erdhi pas deklaratës së menaxherit të departamentit meteorologjik në KANS, Sherif Gosalci, për depërtimin e masave të ftohta ajrore. Sipas IHMK-së, parashikimet e motit kanë besueshmëri të lartë për periudha të shkurtra 1–3 ditë, sipas standardeve të Organizatës Botërore Meteorologjike.

Për periudha më të gjata, saktësia bie ndjeshëm. Parashikimi i besueshëm i motit është zakonisht i kufizuar deri në 7–10 ditë për shkak të dinamikës së atmosferës.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *