Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion (SPAK) ka refuzuar kërkesën e Këshillit Bashkiak të Tiranës për lejimin e kryebashkiakut Erion Veliaj që të marrë pjesë në mbledhjen e buxhetit për vitin 2026.
Kërkesa, e cila ishte firmosur nga 30 anëtarë të Këshillit Bashkiak, u hodh poshtë nga SPAK, duke cituar ligjin nr. 81/2020 që rregullon të drejtat e të dënuarve dhe të paraburgosurve.
Në përgjigjen e tyre, prokurorët Altin Dumani dhe Ols Dado theksojnë se ligji parashikon leje të veçanta për të burgosurit vetëm në raste të veçanta si sëmundje të rënda, ngjarje familjare të rëndësishme apo provime personale. Kërkesa e Këshillit nuk plotësonte këto kritere, dhe për këtë arsye, pjesëmarrja e Veliajt në mbledhje u konsiderua e papranueshme.
Vendimi u bazua gjithashtu në rregulloren e përgjithshme të burgjeve, e miratuar me VKM nr. 209 të vitit 2022, e cila përkufizon qartë rastet kur lejet e veçanta mund të jepen.

Leave a Reply